Bajern Mynih do të duhet të ketë shumë kujdes ndaj Arsenalit në ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave. Shkak janë mungesat e rëndësishme me të cilat do të hyjnë në fushën e lojës kryesuesit e kampionatit gjerman që fituan 3-1 ndeshjen e parë në Londër.
Pezullimeve për kartonë të mesfushorit Shvajnshtajger e mbrojtësit Boateng i është shtuar edhe mungesa e konfirmuar e Frank Riberi pas dëmtimit të pësuar ndaj Fortuna Dyseldorf në fundjavë.
Stafi mjekësor i bavarezëve ka bërë të qartë se nuk është përcaktuar ende kohëzgjatja e riaftësimit të francezit, por shpresohet që ai të jetë i gatshëm për turin tjetër të turneut evropian pasi bavarezët janë thuajse të bindur se do të jenë çerekfinalistë të Ligës së Kampioneve.
Sipas mediave gjermane, trajneri Heinkes ka bërë të qartë se në ndeshjen kundër anglezëve, Dante dhe Van Bujten do të përbëjnë qendrën e mbrojtjes, ndërsa detyrat e Shvajnshtajger, si organizator i tërhequr në mesfushë, do t’i marrë Havi Martinez, i cili u ble në këtë sezon pikërisht për të shtuar kualitetin në këtë repart. (LajmeShqip.com)