Sikur të mos mjaftonte disfata e fundjavës përballë Everton, Roberto Mançini tashmë ka kundër edhe lojtarët e tij. Futbollistët nuk janë dakord me planin e teknikut për të marrë pjesë në një ndeshje bamirësie që është planifikuar për javën e ardhshme në Itali.
Sipas “Daily Star”, polemika ka ardhur menjëherë pasi Mançini ka pranuar të ndërtojë një skuadër për të luajtur kundër një formacioni të kombinuar Xhenoa-Sampdoria, për të mbledhur fonde për viktimat e përmbytjeve në Itali. Lojtarët mendonin se formacioni i anglezëve do të përbëhej nga zëvendësuesit dhe ekipi i rezervave.
Por trajneri italian ka çuditur të gjithë duke deklaruar se do të merrte me vete titullarët për këtë udhëtim, vetëm katër ditë para sfidës me Aston Vilën në kampionat. Gazeta angleze ka bërë të ditur se lojtarët janë acaruar me këtë vendim të trajnerit edhe për faktin se ky i fundit, gjatë gjithë janarit është ankuar për kalendarin e ngjeshur dhe dëmtimet e shumta të lojtarëve.
“Shumë nga lojtarët do të ankohen te drejtuesit pas e kanë të kotë të flasin me Mançinin, i cili prej kohësh thuajse nuk komunikon më me ta. Edhe një nga anëtarët e stafit ka vendosur që të mos udhëtojë drejt Italisë në shenjë proteste”, ishte komenti i një burimi brenda klubit për gazetën britanike. (LajmeShqip.com)