Garet Beil po përgatitet të largohet nga Totenhemi nëse kjo skuadër nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampioneve, por trajneri Herri Redknap mendon se edhe Luka Modriç është pranë lamtumirës.
Anësori i krahut të majtë, që vlerësohet rreth 50 milionë euro, bëri të ditur një ditë më parë se do të ishte i gatshëm të ndryshonte ekip, ndonëse kontrata e tij me londinezët përfundon në vitin 2015. Por Redknap është më i shqetësuar për situatën e kroatit Modriç, i cili kërkohet me ngulm nga Mançester Siti.
“Verën e kaluar ishte jetësore për ne që nuk lejuam Modriç të largohet. Nuk ma merr mendja se do të kemi të bëjmë me Beil gjatë kësaj vere por me Modriç situata është ndryshe. Do të gënjeja nëse do të thosha se jam i sigurt që ai do të qëndrojë”.
“Sa i përket Beil, nuk e shoh atë duke u larguar nga ne, pasi këtu ai është ende një lojtar i rëndësishëm. Ai po mëson këtë lojë, është i ri dhe ky është vendi i duhur për të”.
Në fund, Redknap ka kritikuar sistemin e Ligës së Kampioneve, ku në rast fitoreje të Çelsit në finale, vendi i katërt në kampionatin anglez nuk do të mund të marrë pjesë në këtë aktivitet.
“Nuk është e drejtë që Çelsi të marrë vendin e një skuadre që ka luftuar dhe ka fituar garën për vendin e katërt dhe të drejtën për të luajtur në këtë aktivitet. Klubi që fiton Ligën e Kampioneve duhet të kualifikohet automatikisht në turne, por jo të zërë vendin e një ekipi tjetër. Nuk ka asgjë të keqe nëse Anglia përfaqësohet me 5 suadra”, tha ai. (LajmeShqip.com)