Gonzalo Higuain mund të ishte “bomba” e merkatos së janarit në Evropë. Çelsi ka bërë një ofertë prej 40 milionë eurosh për sulmuesin argjentinas, po ajo është refuzuar nga Reali i Madridit. Sipas “Marca” që ka publikuar lajmin, klubi anglez insiston dhe Abramoviç me Vijas Boas kanë vendosur që t’i rikthehen bisedimeve gjatë verës.
Higuain ka qenë prej kohësh një objektiv i merkatos së Çelsit. Argjentinasi ka humbur vendin e tij mes titullarëve te Reali, ku tani aktivizohet Benzema. Por ai ka shumë admirues në Evropë dhe kjo ishte arsyeja pse Çelsi bëri të pamundurën për ta marrë që në merkaton e janarit sulmuesin për të evituar ndonjë ankand të mundshëm.
Oferta prej 40 milionë eurosh u hodh poshtë nga Reali i Madridit, ndonëse ajo ishte një ofertë mëse e mirë ekonomike për futbollistin e blerë 13 milionë euro në vitin 2006. Murinjo ka qenë personi që ka vënë veton në këtë çështje, duke argumentuar se argjentinasi ishte i domosdoshëm për vazhdimin e sezonit në një skuadër ku ka vetëm dy sulmues të mirëfilltë dhe dëmtimet apo pezullimet mund të dëmtonin skuadrën.
Nga ana tjetër, Çelsi po kërkon që të ringjallë repartin më problematik, duke afruar një prej sulmuesve më në formë në Evropë gjatë sezoneve të fundit. Duke përfituar nga marrëdhëniet e mira mes klubeve, bisedimet do të rifillojnë në verë, kur blutë do të mbeten me vetëm dy sulmues në dispozicion, Torres dhe i riu Lukaku, pasi edhe Drogba ka vendosur të largohet. (LajmeShqip.com)