Kanë mjaftuar 20 ditë për të rihapur kampionatin spanjoll të futbollit që tashmë në mënyrë të pabesueshme ka kthyer më të ndezur se kurrë duelin mes Real Madrid dhe Barcelonës. Madrilenët kanë regjistruar një tjetër barazim, të tretin në pesë ndeshjet e fundit, duke lënë përsëri pikë dhe duke shkurtuar avantazhin nga Barcelona në 4 pikë, nga 10 që kishin vetëm 5 javë më parë.
Në ndeshjen kundër Valencias të Luajtur në “Santiago Bernabeu”, madrilenët kanë provuar në të gjitha mënyrat të shënojnë, por pa gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa protagonist për ekipin kundërshtar ishte portieri Guaita i cili ndali gjuajtjet e njëpasnjëshme të Kristiano Ronaldo, Benzema e Di Maria. Për t’u shënuar edhe një shtyllë e goditur nga Kristiano Ronaldo në pjesën e parë të ndeshjes.
Nga ana tjetër edhe Valencia krijoi rastet e saj, ndërsa goditi shtyllën dhe traversën me Tino Kosta. Në minutat e fundit, Kazijas bëri mrekullinë përballë Zhorti Alba duke e shpëtuar skuadrën e tij nga një humbje që do të krijonte shumë më tepër probleme.
Pas këtij barazimi, situata është shumë e komplikuar, pasi në mesjavë, madrilenët luajnë në derbi përballë Atletiko Madrid, ndërsa Barcelona ka një sfidë shumë më të lehtë në letër përballë Getafe dhe mund të shkurtojë më tepër diferencën ndaj kryesuesve të kampionatit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Levante-Atletiko Madrid 2-0
3′ Valdo, 10′ Aruna Kone
Majorka-Granada 0-0
Atletik Bilbao-Sevilja 1-0
47′ Lorente
Real Madrid-Valencia 0-0
Renditja
Real Madrid 79, Barcelona 75, Valencia 49, Levante 48, Malaga 47, Osasuna 43, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Atletik Bilbao 41, Rajo Vajekano 40, Betis 38, Real Sociedad 37, Majorka 37, Granada 35, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.