Real Madrid dhe Barcelona është dashur të djersijnë shumë për të siguruar një fitore në ndeshjet që kishin në javën e 33-të të kampionatit spanjoll të futbollit. Ndonëse të dy ekipet kanë fituar, ata kanë treguar vështirësi në lojën e tyre, të ndikuar edhe nga fakti që të dy palët kanë ruajtur energji për ndeshjet e rëndësishme në Ligën e Kampioneve në mesjavë.
I pari ka luajtur Real Madrid që në ndeshjen kundër Sporting Gijon është gjendur çuditërisht në disavantazh ndonëse luhej në “Santiago Bernabeu”. Shkak bëhet Serxho Ramos që shkakton penallti në favor të skuadrës mike dhe është De las Kuevas që shënon nga pika e bardhë në minutën e 30-të. Por gëzimi i ekipit mik zgjat vetëm 7 minuta, pasi Higuain arrin të gjejë rrugën e rrjetës pas një harkimi perfekt të Serxho Ramos që shlyen gabimin e mëparshëm. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1 por në pjesën e dytë në fushë ekziston vetëm Reali që shënon dy herë me të zakonshmit Kristiano Ronaldo dhe Benzema duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Më pas e ka patur radhën Barcelona që ka luajtur në fushën e vështirë të Levantes që lufton për vendin e katërt në renditje. Edhe në këtë rast, ka qenë Levante që ka kaluar në avantazh me anë të një penalltie të transformuar nga Barkero në minutën e 23-të. Ndeshjen e bëjnë katalanasit që provojnë në të gjitha mënyrat të gjejnë rrugën e rrjetës dhe ia arrijnë qëllimit vetëm në minutën e 64-t kur Mesi gjen barazimin me një aksion spektakolar, falë kombinimit me Sançez. Barcelona hidhet në kërkim të golit të fitores dhe e gjen atë falë në 11 metërshi të fituar nga Kuenka dhe të kontestuar gjatë nga ekipi vendas. Nga pika e bardhë gjuan Mesi i cili shënon përsëri duke vulosur fitoren 2-1 të ekipit të tij dhe duke barazuar rekordin e brazilianit Ronaldo, i cli ka shënuar në 11 ndeshje radhazi në kampionatin spanjoll.
Pas ndeshjeve të Ligë së Kampioneve, dy ekipet do të vihen përballë njëri-tjetrit të shtunën në “El Clasico”, ku me shumë mundësi do të vendoset edhe fati i titullit kampion pasi këtu do të përcaktohet nëse do të rritet apo zvogëlohet diferenca prej 4 pikësh që kanë dy skuadrat në renditje. (LajmeShqip.com)