Presidenti i Borusia Dortmund, Hans Joakim Uatzke, ka shpjeguar se nuk ka parë 20 minutat e fundit të çmendur të sfidës së mbrëmshme në “Santiago Bernabeu”, pasi ka qenë i mbyllur në një nga tualetet e stadiumit spanjoll.
“Mendoj se ne si skuadër mund të krijojmë vetëm dramë”, shpjegoi ai pas ndeshjes, duke iu referuar edhe sfidës së çerekfinaleve të fituar në minutat shtesë ndaj Malagas.
“Por këtë radhë ishte hera e parë që mu desh të mos shihja një ndeshje për shkak të problemeve me zemrën. Kam kaluar 20 minutat e fundit i mbyllur në tualet, mbulova veshët dhe shihja orën. Çdo lloj mendimi kalonte në mendjen time”, tregoi Uatzke, i cili shihet nga tifozët si heroi i vërtetë i klubit, pasi ishte ai që e shpëtoi klubin nga kolapsi ekonomik në vitin 2005, duke e kthyer përsëri në elitën e futbollit gjerman dhe botëror.
Këtë tregim të Uatzke e ka komentuar me humor edhe trajneri Jurgen Klop. “Më shkoi ndër mend edhe mua që të veproja si Uatzke në minutat e fundit”, tha ai duke iu referuar momenteve tensionuese kur një gol i Real Madrid mund të kishte kaluar sfidën në favor të madrilenëve. (LajmeShqip.com)