Portugezët nuk e kanë pritur mirë emërimin e gjyqtarit turk Çuneit Çakir si kryesor të ndeshjes gjysmëfinale të Euro 2012 që do të luajnë kundër Spanjës. Në adresë të UEFA-s dhe presidentit Platini kanë vërshuar një sërë akuzash për favorizim, duke kujtuar edhe se kryetari i komiteti të gjykimit në UEFA është pikërisht presidenti i Federatës Spanjolle, Angel Vilar.
Sipas gazetave portugeze, Federata është e pakënaqur me zgjedhjen që është bërë nga UEFA për këtë sfidë. “Caktimi i gjyqtarit Çakir bën të tunden kambanat e alarmit”, shkruan gazeta më e madhe sportive në vend, “A Bola”. Ajo kujton se zëvendësi i Vilar në UEFA është zëvendëspresidenti i Federatës Turke, Senes Erzik, “mik i Barcelonës dhe Unicef”. Sipas kësaj gazete, meqenëse ai është një punonjës i Unicef, ka qenë i përfshirë në negociatat mes organizatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Barcelonës.
Gjithashtu, kujtohen gabimet e gjyqtarëve sa herë që portugezët ndesheshin me spanjollët në aktivitete zyrtare, më i fundit në Botërorin 2010, kur Spanja eliminoi Portugalinë në 1/16 me një gol të Vija në pozicion jashtë loje.
“Lojtari më i rrezikshëm i Spanjës? Platini!”, shkruajnë disa prej gazetave të tjera të cilat i shohin si të papërgjegjshme parashikimet e francezit për finalen Spanjë-Gjermani në Euro 2012, pasi mendojnë se në këtë mënyrë presidenti i UEFA-s u lëshon mesazhe të qarta “nëpunësve” që t’i plotësojnë dëshirën. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Danimarkë-Portugali 2-3
41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela
Portugali-Holandë 2-1
28’, 74’ K. Ronaldo / 11’ Van Der Vart
Çerekfinalet
R. Çeke-Portugali 0-1
79’ Kristiano Ronaldo
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45