Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka etiketuar si “hajdutë e batakçinj” pronarët e hoteleve në Ukrainë që kanë vënë çmime stratosferike për tifozët gjatë Euro 2012.
Deklarata e tij, e bërë në praninë e presidentit të këtij vendi, Vladmir Janukoviç, bëri që të kalonte plotësisht në plan të dytë inaugurimi i një terminali të ri në aeroportin e qytetit të Lviv.
“Është shumë e bezdisshme të bësh shumë investime dhe më pas t’u thuash njerëzve që nuk mund të vinë këtu pasi ka hajdutë dhe batakçinj që duan të bëjnë thasë me para gjatë Kampionatit Evropian”, tha Platini gjatë vizitës së tij në këtë vend për inaugurimin në Lviv.
“Kjo situatë më shqetëson. Autoritetet duhet të ndërhyjnë të marrin masa dhe që disa parime të respektohen”.
“Nuk mund të ndryshosh çmimin e dhomës nga 40 euro në 100 euro, e më pas direkt në 500 euro nga njëra ditë në tjetrën. Kjo është e papranueshme”, tha ai duke shtuar se disa prej hoteleve nuk po respektonin as kontratat e nënshkruara më parë me grupet e tifozëve. “Shpresoj për të mirën tuaj që kontratat e bëra nga këto hotelierë të respektohen, përndryshe njerëzit do të refuzojnë të vinë këtu”, tha ia.
Problemi i çmimeve të rritura është më i ndjeshëm sidomos në qytetin e Dontesk. Sipas një korrespondenti të AFP, një hotel pranë stadiumit ka vënë çmimin 3600 euro për një dhomë në natën e gjysmëfinales së 27 qershorit, shifër që është e rritur 85 herë në krahasim me çmimin normal të dhomës që kushton vetëm 42 euro. (LajmeShqip.com)