Ish-trajneri i Genoas, Gasperini ka dhënë deklaratat e para në cilësinë e teknikut të Interit, ndonëse prezantimi i tij zyrtar do të bëhet ditën e premte.
“Ishte një surprizë e bukur. Premtoj më të mirën dhe mezi pres të nis nga puna”, tha Gasperini.
Mbledhja e parë në klubin e Interit për trajnerin e ri ka zgjatur 2 orë e 15 minuta, ku në takim ishte edhe Rinaldo Ghelfi, zëvendës president i klubit. Mbledhja e djeshme, në fakt, ka pasur për qëllim vendosjen e piketave për sezonin e ardhshëm, sidomos për merkaton dhe përgatitjet. Bashkë me Gasperinin, në selinë e Interit kanë qenë edhe bashkëpunëtorët e tij.
Për trajnerin e ri do të jetë mundësia që të shpalosë për herë të parë metodologjinë e punës së tij. Sa u përket blerjeve, emri i parë në listën e Gasperinit është Rodrigo Palasio, mesfushori i Genoas, një nga më të mirët në sezonin e shkuar. Branka, ndërkohë ka marrë listën e futbollistëve që tekniku i ri dëshiron të ketë në skuadër, ndonëse organika aktuale mbetet akoma shumë e fortë. Gjithsesi, blerjet do të bëhen në bazë të skemës që aplikon Gasperini dhe që janë: 3-4-3 apo 4-3-3.