Problemet në ndeshjen Rajo Vajekano-Real Madrid, kanë nxjerrë edhe një herë në plan të parë gjykimin me dy standarde që bëhet në favor të skuadrave të mëdha në Spanjë.
Sulmuesi i Rajo, Piti, ka deklaruar për “Radio Marca” se ishte e padrejtë mënyra se si skuadra e tij ishte trajtuar nga gjyqtari Fernandez Borbalan, i cili injoronte plotësisht ndërhyrjet e rënda të madrilenëve.
“Gjyqtarët duket se kanë frikë t’i nxjerrin karton një lojtari të Real Madrid. Kjo është e padrejtë pasi atyre u lejohet të godasin me shkelma dhe bërryla”.
“Ndoshta kështu është mënyra se si luan Pepe, por e vërteta është që gjyqtarët duhet të mendojnë pak edhe për lojtarët e tjerë që janë në fushë dhe që dëmtohen nga ndërhyrje të tilla. Ata nuk duhet të falin kaq shumë ndërhyrje për karton”, ishte deklarata e sulmuesit i cili pësoi një faull të rëndë pikërisht nga Pepe gjatë takimit të së dielës.
Një faull i tillë nuk u ndëshkua as me goditje dënimi nga gjyqtari, ndërsa për një ndërhyrje të thjeshtë, u largua me karton të kuq Miçu. (LajmeShqip.com)