Shefi i Federatës Angleze, Devid Bershtain ka treguar në një konferencë për shtyp se trajneri i ardhshëm i Anglisë nuk do të ishte domosdoshmërish anglez apo britanik, por mbi të gjitha “personi më i mirë i mundshëm”.
Ky lajm erdhi si surprizë, pasi mendohej se Kapelo do të ishte trajneri i fundit i huaj për stolin e kombëtares dhe Herri Redknap si emri më i mundshëm për ta zëvendësuar.
Por drejtuesit e FA nuk janë ngutur dhe kanë bërë të ditur vetëm që Stjuart Pirs, trajneri i U-21 dhe Kombëtares Olimpike Britanike, do të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës. Siç dihet, me 29 shkurt, Anglia luan një miqësore kundër Holandës dhe Pirs do të ulet në stolin e “3 luanëve” për këtë sfidë.
“Nuk është e sigurt 100% se do të jetë anglez. Kuptohet që ka një preferencë për një anglez apo britanik, por ne duam njeriun më të mirë të mundshëm për këtë detyrë. Mund të bëjmë edhe një kontratë të përkohshme dhe jo afatgjatë. Nuk kemi emra konkret për momentin, por do të veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Bernshtain.
Më pas, ai bëri të qartë se ishte Kapelo që kishte kërkuar dorëheqjen dhe Federatës Angleze nuk i kishte shkuar ndër mend të shkarkonin trajnerin në këtë pikë. “Ishte kërkesa e tij. Kapelo ka qenë një zgjedhje relativisht e shtrenjtë, po aspak e gabuar pasi ai ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë periudhës me ne”, përfundoi Bernshtain.
Pritet që brenda 10 ditëve të ardhshme, Federata Angleze të kontaktojë disa nga kandidatët për postin e trajnerit të kombëtares, ndonëse të gjithë duken të sigurt se Herri Redknap do të ulet në pankinën e ekipit gjatë Euro 2012. (LajmeShqip.com)