Mesfushori i Juventus, Andrea Pirlo, ka pranuar se ai ka një ndjesi të veçantë rreth faktit se Milani është kundërshtari i ekipit të tij në luftën për titullin kampion në Serinë A.
Organizatori 32 vjeçar, që iu bashkua baradhezinjve me parametër zero gjatë merkatos verore, duke u larguar nga kuqezinjtë për të cilët kishte kontribuuar 10 vite radhazi, ka qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit të tij të ri, i kthyer protagonist pas disa viteve anonimitet.
Milani është vetëm tre pikë pas Juventus kur kanë mbetur katër ndeshje deri në fundin e sezonit dhe Pirlo nuk është indiferent ndaj ish-skuadrës së tij dhe kërcënimit që ajo përbën.
“Ne e dinim që ata do të luftonin deri në fund. Sigurisht, pasi kam luajtur atje për 10 vite, e ndjej këtë si një garë të veçantë”, tha ai për faqen e internetit të klubit.
“Përmirësimet e Juventus janë ndjerë ndeshje pas ndeshje dhe kjo na ka ndihmuar për vetëbesimin tonë. Unë e ndjeva menjëherë se i përkisja kësaj skuadre edhe për faktin se njihja shumë prej lojtarëve prej disa vitesh. Për më tepër, kisha motivim ekstra duke luajtur për një klub të ri”, deklaroi mesfushori i cili këtë sezon i ka mbyllur gojën të gjithë kritikëve që e shihnin si një futbollist të mbaruar. (LajmeShqip.com)