Shumë prej pilotëve të Formula 1 janë tifozë të çmendur futbolli dhe janë shfaqur shpesh edhe si futbollistë me kombëtaren e pilotëve dhe aktivitete të tjera bamirësie.
Normalisht, këta pilotë nuk kanë ngurruar të japin edhe mendimet e tyre për Euro 2012 dhe kombëtaret për të cilat bëjnë tifo.
“Do të pendohemi që kemi kritikuar kombëtaren spanjolle. Ky është një brez i veçantë dhe i papërsëritshëm. Jemi të privilegjuar që i kemi patur. Unë nuk ndaj të njëjtin mendim me kritikët. Pas pesë apo gjashtë vitesh, do ta ëndërrojmë kombëtaren që kemi tani”, ishin fjalët e Fernando Alonsos që është një tifoz i zjarrtë i përfaqësueses së vendlindjes së tij.
“Nuk besoj se Groszhan do ia kalojë mirë të shtunën”, tha ai me humor duke iu referuar ndeshjes çerekfinale Spanjë-Francë.
Nëse Alonso beson se Italia do të eliminojë Anglinë, britaniku Luis Hemilton mendon se spanjollët do të fitojnë Evropianin. “Ky aktivitet ka shumë ekipe të mira, por besoj se Spanja është skuadra më e mirë”.
Kuptohet që nuk mund të mungonte mendimi i një eksperti si Mikael Shumaker, i cili është tifoz i zjarrtë i Gjermanisë dhe shpesh ka vizituar grumbullimet e kësaj kombëtareje. “Nuk e besoj se Spanja është favorite. Deri tani, Gjermania ka treguar më shumë cilësi, ndaj besoj se do të fitojmë ne Euro2012”, tha piloti gjerman. (LajmeShqip.com)
Çerekfinalet
21.06.2012
R. Çeke-Portugali 20:45
Gjyqtar: Hauard Ueb (Angli)
Varshavë
22.06.2012
Gjermani-Greqi 20:45
Gjyqtar: Damir Skomina (Slloveni)
Gdansk
23.06.2012
Spanjë-Francë 20:45
Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)
Donetsk
24.06.2012
Angli-Itali 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Kiev