Xherard Pike është i sigurt se Barcelona do të luftojë si e barabartë me Realin e Madridit dhe ka ende shanse për të fituar titullin ndonëse ka 7 pikë diferencë me madrilenët.
Në konferencën për shtyp, futbollisti fillimisht ka folur për finalen e Kupës së Mbretit përballë Atletik Bilbao, duke thënë se edhe në rast se ndeshja luhej në “Santiago Bernabeu”, ky nuk do të ishte një problem për katalanasit. “Nëse luhet atje, do të thotë se do të ketë më shumë njerëz në stadium dhe vetëm kaq. Nuk ka të bëjë stadiumi ku luhet, e rëndësishme është të kënaqemi me pjesëmarrjen në një tjetër finale”.
Sipas tij, ekipi do të vazhdojë të bëjë më të mirën në të gjitha turnetë ku merr pjesë. “Jemi në garë në tre aktivitete, pasi luajmë për kampionat, jemi në finalen e Kupës dhe jemi në turin eliminator të Ligës së Kampioneve. U them të gjithëve të vënë bast për ne në fundin këtij sezoni”.
“Nuk jemi dorëzuar për kampionatin, janë të tjerët ata që duhet të shqetësohen për të fituar. Ne do të bëjmë maksimumin që kampionati të jetë sa më i gjatë. Diferenca prej 7 pikësh nuk është shqetësuese, pas ka ende shumë ndeshje dhe për më tepër një takim direkt në fushën tonë. Guardiola? E shoh më të motivuar se në sezonin e parë këtu dhe kjo do të thotë gjithçka”, përfundoi Pike. (LajmeShqip.com)