Karl Hainc Rumenige ka treguar për mediat gjermane se si presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka cilësuar portierin Manuel Nojer si më të mirin në botë. Gardiani i përfaqësueses gjermane priti dy penallti kundër madrilenëve, pikërisht përballë dy futbollistëve më të shtrenjtë në historinë e këtij sporti, Kristiano Ronaldo e Kaka.
“Presidenit i Realit, Florentino Perez, ishte ulur ngjitur me mua dhe tha ‘Mauel Nojer është portieri më i mirë në botë’. Kjo ishte ndeshja më emocionuese e karrierës time dhe po ju kujtoj që karriera ime fillon 40 vite më parë”, tregoi Rumenige pas ndeshjes.
Ndërkohë, një vlerësim për gardianin gjerman ka ardhur edhe nga legjenda e Realit, Emilio Butragenjo, i cili është pjesë e stafit drejtues të klubit spanjoll.
“Penalltitë janë gjithmonë si një monedhë e hedhur në ajër. Por duhet ta pranojmë që Nojer është një portier i madh, ka shumë intuitë. Ishin penallti të gjuajtura mirë, por ai i parashikoi saktësisht, janë më shumë meritë e Nojer sesa gabime të Kristiano Ronaldos dhe Kaka”, tregoi “El Buitre” që është shquar gjithmonë për gjuajtjet e sakta nga pika e bardhë e 11-metërshave. (LajmeShqip.com)