Numri 9, në Barcelonë ka tri vite që nuk po arrin të gjejë vend. Numri që i përket qendërsulmuesit të një skuadre, tek Barcelona nuk ndihet si në shtëpi të vet.
Samuel Eto′o e mbajti për disa vjet në mënyrë magjike këtë fanellë dhe këtë numër, duke shënuar gola pa fund dhe duke fituar tituj kampioni, por edhe dy Liga të Kampionëve, më 2006 e 2009, madje duke tundur rrjetën e duke qenë vendimtar në të dyja.
Por, pikërisht pas finales së Romës, kur fituan 2-0 ndaj Manchester Unitedit, sulmuesi kamerunas u largua për mosmarrëveshje me trajnerin Pep Guardiola.
Vendin e tij e zuri një tjetër numër 9 madhështor, Zlatan Ibrahimoviç. Vetëm një sezon ishte prania e tij në “Camp Nou”, por loja e tij nuk u përshtat dot me lojën e Barçës dhe kështu e bëri atë të dështonte. Ibra kaloi në Milano, ku sërish doli kampion, si gjithnjë në karrierën e tij, ndërsa Barcelona ia dha numrin 9 një djali të ri, të quajtur Bojan Krkiç.
Por, lojërat e tregut bënë që edhe ky numër 9, i aktivizuar pak në sezonin e fundit, të largohet nga “Camp Nou” drejt skuadrës italiane të Romës.
Tani shtrohet pyetja: Kush do ta bartë numrin 9 tek Barça?