Arsenal rrezikon që të mbetet jashtë Ligës së Kampioneve, pas gabimit që ka bërë në ndeshjen e parafundit të kampionatit duke barazuar 3-3 me Noruiç, ndonëse takimi luhej në “Emirates”.
Skuadra e Venger ka kaluar e para në avantazh me Josi Benajun, që në minutën e 2-të të ndeshjes. Por reagimi i ekipit mik ishte i menjëhershëm dhe që në minutën e 12-të, Holahan vendosi barazpeshën falë edhe një gabimi të Shzhesnji, ndërsa Holt në minutën e 27-të kaloi në avantazh Noruiç me një gjuajtje të devijuar nga Gibs.
Në pjesën e dytë, Robin Van Persi u kthye në protagonist absolut, duke shënuar dy gola brenda 8 minutash, për të çuar në 30 golat e shënuar këtë kampionat me fanellën e Arsenalit.
Por “topçinjtë” nuk iu gëzuan dot një suksesi, pasi 5 minuta para përfundimit të sfidës ishte Morison që arriti të mposhtë portierin e vendasve për të vulosur rezultatin historik 3-3 të skuadrës së tij.
Tashmë Arsenali, që ka luajtur një ndeshje më shumë se rivalët e tij, ka 67 pikë, vetëm 2 më shumë se Totenhem dhe Njukasëll që luajnë nesër. Ekipi i Venger duhet të shpresojë që një nga këto dy skuadra të gabojë në mënyrë që të mbeten mes katër më të mirëve në Angli. (LajmeShqip.com)