Manuel Nojer ka treguar se nuk ishte koincidence fakti që priti penalltinë e Kristiano Ronaldo, pasi e dinte mirë se si është gjuajtja e preferuar e portugezit nga pika e bardhë. Gardiani i Bajern ka treguar se si është përgatitur për këtë sfidë, ndërsa shpreson që ekipi të bëjë historinë duke fituar edhe finalen përballë Çelsit.
“Nuk kam më adrenalinë në gjak, mbaroi pas përfundimit të ndeshjes. Më pas nuk mund të flija mirë, mendoj se kam fjetur vetëm 3 orë. Kjo ndeshje mund të hyjë në historinë e futbollit, po më parë duhet që të hedhim hapin e fundit duke fituar finalen. Atëherë po që do kemi mbërritur të shkruajmë historinë e futbollit”, deklaroi portieri i përfaqësueses gjermane për “Bild”.
I pyetur nëse penalltitë janë thjesht intuitë dhe fat, portieri ka treguar se ai përgatitet seriozisht për kundërshtarë të veçantë dhe se në rastin e Kristiano Ronaldos, e dinte se ku do ta dërgonte topin portugezi.
“Në situata të tilla unë përgatitem. Trajneri i portierëve, Toni Tapaloviç, ka mbledhur në laptop pamje filmike të ndryshme të Kristiano Ronaldos dhe mi tregoi para ndeshjes. E dija që Ronaldo preferon të gjuajë në pjesën e poshtme të krahut të majtë të tij. Kështu u përgatita edhe për gjuajtjen që bëri në fillimin e ndeshjes. Kur erdhën penalltitë në fund të ndeshjes, isha shumë i sigurt që do të gjuante në cepin e tij të preferuar dhe prandaj isha gati”.
“Ka raste që di sekrete të lojtarëve te penalltitë, por ka rase si te Kaka që duhet të spekulosh. Gjithashtu, nuk e dija që Serxho Ramos do ta dërgonte topin mbi traversë”, tregon me humor portieri gjerman. (LajmeShqip.com)