Adrian Nikçi duket se nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një skuadër cilësore për të vazhduar karrierën e tij pasi mesfushori 22 vjeçar i Zyrihut tashmë ka hyrë ne planet e shumë prej klubeve të njohura evropiane.
Sipas asaj që raporton gazeta britanike “People”, lojtari shqiptar i Zyrihut është një objektiv i merkatos së klubit të Everton që e sheh atë me prioritet. Ka qenë vetë trajneri David Mojes ai që ka ndjekur futbollistin dhe ka kërkuar më shumë informacione rreth tij. Pasi ka parë raportin e skautëve, ai ka bërë gati rreth 500 mijë eurot që duhen për të blerë kartonin e tij nga ekipi zviceran sapo të fillojë merkatoja e verës .
Por për futbollistin ka interesim prej shumë klubeve italiane, të cilat ndjekin me rregullsi kampionatin zviceran dhe marrin shpesh prej aty talente të ndryshëm. Sipas mediave italiane, gjatë javëve të fundit për të janë interesuar ekipe si Xhenoa, Fiorentina dhe Lacio.
Pikërisht ky ekip i fundit duket se është shumë më pranë lojtarit falë edhe insistimit të drejtorit sportiv Igli Tare. Ai po bën të pamundurën që futbollisti me origjinë shqiptare t’i bashkohet kësaj skuadre që vitin e ardhshëm me shumë mundësi do të marrë pjesë në Kupat e Evropës. (LajmeShqip.com)