Burkina Faso dhe Nigeria plotësuan katërshen e gjysmëfinalisteve të Kupës së Kombeve të Afrikës, duke larguar nga turneu pretendentët e Togos dhe Bregut të Fildishtë, dy skuadrat të cilat nuk arritën të merrnin përsëri maksimumin nga ky turne.
Nigeria shkaktoi surprizën më të madhe, duke mundur 2-1 Bregun e Fildishtë, edhe pse vetë trajneri i kësaj skuadre, Stefen Keshi, i kishte dhënë vetëm 20% shanse skuadrës së tij për të kaluar favoritët e turneut. Në fakt, ky ishte edicioni i pestë radhazi që Bregu i Fildishtë i udhëhequr nga Didier Drogba, nis aktivitetin si pretendent absolut, por pa arritur asnjëherë të fitojë trofeun.
Emenike kaloi në avantazh Nigerinë, ndërsa barazimi u realizua nga Tiote në pjesën e dytë. Por goli i fitores erdhi nga Mba vetëm 12 minuta nga fundi i sfidës, pas një aksioni personal të futbollistit që aktivizohet në kampionatin nigerian të futbollit dhe që përfaqëson qartësisht idenë e trajnerit Keshi për një skuadër që kishte nevojë të rinohej duke filluar nga talentet vendas. Në gjysmëfinale, Nigeria do të vihet përballë Mali, një ndeshje që askush nuk e kishte parashikuar në këtë pikë të turneut.
Ndërsa Burkina Faso arriti për herë të dytë në historinë e saj në gjysmëfinalet e turneut ku i pret Gana, vetëm falë golit të shënuar në minutën e fundit të shtesës së parë nga Pitroipa, pasi koha e rregullt ndaj Togos kishte përfunduar në barazim 0-0. (LajmeShqip.com)