Pohimet e djeshme të Camineros kanë ardhur pak si një dush i ftohtë që të vret, pavarësisht vapës së këtyre ditëve. Asnjë kontaktim, ose 45 milionë ose asgjë. Ja ku fiket në pak kohë një objektiv aq i ndjekur me ngulm nga drejtuesit bardhezi. Një ëndërr që vazhdonte prej muajsh. Me Manchester Cityn në krye të garës, pas largimit të sigurt të Tevezit, lufta bëhet e pashpresë.
Pas një lajmërimi pothuajse zyrtar për heqjen dorë nga argjentinasi, tani Juve hidhet fund e krye tek një nga futbollistët më të talentuar dhe kërkuar italian në Evropë, Giuseppe Rossi.
Dje presidenti i Villareal, Roig e hoqi nga merkato duke thënë, “Do të qëndrojë dhe do të shënojë 40 gola”. Duket një taktikë kjo për të hapur një ankand.
Sidoqoftë, Juventus është i lodhur me këto kërkesa të ekzagjeruar, 50 milionë për Tevez dhe Sanchez, 45 për Agueron dhe kërkon italianin që do t’i kushtonte 30 dhe që nuk do të gjente probleme ambientimi në Italinë e tij, ku ka luajtur edhe më parë me Parmën e Ranierit dhe ku tek Juventusi do të gjente shumë nga shokët e kombëtares.
Nëse edhe kjo pistë nuk do të ecte, atëherë do të shkohej përsëri në Madrid, por këtë herë tek Reali për të kërkuar njërin mes Higuain – Benzema.
Edhe mundësia Ribery për krahun e majtë nuk është hedhur poshtë, sidomos pas shfaqjes së një interesimi serioz të Bayernit për Nanin.