Oklahoma është mundur 103-98 në fushën e Indianas duke konfirmuar krizën që po kalon në këtë periudhë, pasi ka regjistruar disfatën e tretë radhazi. Ndonëse Kevin Durant (44 pikë, 6 topa në tabelë) dhe Rasëll Uestbruk (21 pikë, 11 topa në tabelë, 9 pasime) kanë qenë në një formë të shkëlqyer, ata nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë lojës së skuadrës së Indianas e cila ka krijuar një avantazh të hershëm prej 24 pikësh dhe pastaj ka arritur ta mbrojë atë deri në fundin e takimit.
Humbja e Oklahomas ka ndihmuar San Antonion të ngjitet në kreun e klasifikimit të Konferencës së Perëndimit, pasi teksanët kanë marrë fitoren e 10-të radhazi duke mundur Nju Orlins me rezultatin 128-103. Skuadra e Popoviç e ka patur shumë të thjeshtë të fitojë, aq sa trajneri ka aktivizuar të 13 lojtarët që kishte në dispozicion dhe asnjë prej tyre nuk luajti më shumë se 25 minuta.
Ndërkohë, një humbje e bujshme në shtëpi ka qenë ajo e Majemit përballë Memfis, ku miqtë janë larguar duke marrë një sukses të merituar 97-82. Skuadra mike ka patur 7 lojtarë me 10 apo më shumë pikë, duke treguar një prove ekipore të jashtëzakonshme për të ruajtur vendin e 5-të në Konferencën e Perëndimit. Ndërsa Xhejms & Co. nuk kanë arritur të qëndrojnë në garë për vendin e parë në Konferencën e Lindjes dhe tashme shohin veten me dy humbje më shumë se Çikago.
Edhe LA Leikërs janë mundur 112-107 në shtëpi nga Hjuston në një sfidë shumë të luftuar. Gordon Dragiç me 26 pikë e 11 pasime udhëhoqi Hjuston por diferencën e bëri largimi nga loja i Endriu Bainëm për dy faulle teknik në fillimin e periodës ë katërt, duke vështirësuar punën e LA Leikërs. Lojtari ka krijuar shumë polemika kohët e fundit e ndonëse cilësohet një prej qendrave më të mira në qarkullim, LA Leikërs po shohin mundësinë ta largojnë gjatë verës për të evituar probleme të tjera. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Indiana 98-103
Detroit-Atlanta 96-101
Uashington-Nju Xhersi 98-110
Memfis-Majemi 97-82
Kliveland-Toronto 84-80
Portland-Dallas 99-97
Sharlot-Miluoki 90-95
Nju Orlins-San Antonio 103-128
Feniks-Denver 99-105
G. Steit-Utah 98-104
Hjuston-LA Leikërs 112-107