Fenomeni Xheremi Lin godet përsëri. Edhe në një natë që duket jo e favorshme për basketbollistin me origjinë aziatike, ai arrin të bëhet protagonist në fitoren e 5-të radhazi të Nju Jork, këtë radhë përballë Minesotas me rezultatin 100-98. Dukej sikur Kevin Lov i kishte dhënë suksesin skuadrës së Minesota me 32 pikë e 21 topa në tabelë, ndërsa Lin kishte patur një pjesë të dytë loje të tmerrshme, duke gabuar 12 në 13 gjuajtje. Por ai arriti të fitonte një faull vendimtar në sekondat e fundi të takimit për të realizuar gjuajtjet e lira dhe për të kaluar para ekipin e tij. Me këtë sukses, Nju Jork kthehet në vendin e 8-të në renditjen e Konferencës së Lindjes, duke qenë për momentin mes skuadrave që marrin pjesë në play-off.
Në ndeshjet e tjera, për t’u shënuar është paraqitja e San Antonio të cilët kanë siguruar fitoren e 7-të radhazi, duke mundur Nju Xhersi me rezultatin 103-89. Për teksanët, 6 lojtarë të ndryshëm shënuan më shumë se 10 pikë, ndërsa trajneri Popoviç përdori rotacionin duke lënë pushim shumë prej titullarëve. Megjithatë, lajmi më i mirë për San Antonion është kthimi në fushën e lojës i Manu Xhinobili, i cili mungonte prej 40 ditësh për një frakturë në dorë. Argjentinasi pritet të jetë një armë më shumë për këtë skuadër që është kthyer mes pretendentëve në Perëndim.
(LajmeShqip.com)
Rezultatet
Denver-Indiana 113-109
LA Klipërs-Sharlot 111-86
Filadelfia-Kliveland 99-84
San Antonio-Nju Xhersi 103-89
Nju Jork-Minesota 100-98
Portland-Dallas 94-97
Orlando-Miluoki 99-94
Feniks-Sakramento 98-84