Uashington ka shkaktuar surprizën më të madhe të natës duke mundur Çikagon 87-84 në fushën e këtyre të fundit. Vendasit vinin në këtë takim pa patur në radhët e tyre Derrik Rouz dhe Luol Deng, të dy të dëmtuar, por mendohej se do të arrinin të kalonin pa vështirësi Uashington që ka bërë një revolucion dy muaj më parë duke larguar shumë lojtarë dhe tani mban vendin e parafundit në Lindje. Kevin Serafin me 21 pikë e 13 topa në tabelë ishte lojtari më i mirë për Uashington, ndërsa në radhët e Çikagos, vetëm Riçard Hemilton dukej në lartësinë e duhur me 22 pikë, 5 topa në tabelë e 5 pasime.
Tashmë Çikago mban vetëm 2 ndeshje avantazh ndaj Majemit, ku këta të fundit iu falën LeBron Xhejms për të siguruar një sukses të vështirë 101-98 në fushën e Nju Xhersit. Kandidati kryesor për MVP në këtë sezon shënoi 37 pikë, 6 topa në tabelë dhe 7 pasime, duke përfshirë 17 pikë në 5 minutat e fundit të ndeshjes për të mbyllur takimin. Majemi do të ketë mundësinë të shkurtojë më tej diferencën me kryesuesit gjatë kësaj jave, kur do të presë Çikagon në Florida.
Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma ka zbritur në vendin e dytë pas shumë kohësh, pasi është mundur 92-77 në fushën e LA Klipërs. Bleik Grifin (17 pikë, 11 topa në tabelë) dhe Kris Pol (12 pikë, 10 pasime) ishin në formën e tyre të zakonshme, por diferencën e bëri Nik Jang i cili shënoi 19 pikë duke luajtur si zëvendësues. Për Oklahoman, vetëm Kevin Durant u paraqit në formën e zakonshme me 24 pikë të shënuara, ndërsa Rasëll Uestbruk shënoi vetëm 9. Tashmë në vendin e parë në Konferencën e Perëndimit është San Antonio që mundi Golden Steit me rezultatin e thellë 120-99 ndonëse asnjë prej lojtarëve të skuadrës teksane nuk luajti më shumë se 25 minuta. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Orlando 100-113
Nju Orlins-Sharlot 75-67
Minesota-Indiana 88-111
Atlanta-Toronto 109-87
Majemi-Nju Xhersi 101-98
Uashington-Çikago 87-84
Denver-Hjuston 105-102
Dallas-Utah 121-123
Portland-Feniks 107-125
Oklahoma-LA Klipërs 77-92
San Antonio-G. Steit 120-99