Majemi është mundur në shtëpi nga Uashington me rezultatin 86-84 por ajo që shqetëson më shumë ekipin nga Florida është dëmtimi në dorën e majtë i Duejn Uejd. LeBron Xhejms dhe Kris Bosh ishin lënë pushim nga trajneri Spoelstra, ndërsa Uejd ishte i vetmi nga treshja që luante në këtë sfidë, por edhe ai është detyruar të braktisë fushën e lojës pas më pak se tre minutash, si pasojë e ndrydhjes së gishtit të dorës së majtë. Lojtari do të qëndrojë të paktën një javë pushim, por kjo mund të ndikojë disi në paraqitjen e Majemit në play-off, ndërsa duket se kjo skuadër do të jetë e dyta në Konferencën e Lindjes. Sa për ndeshjen, e cila kaloi në plan të dytë pas dëmtimit të Uejd, ajo u vendos nga një kosh i Nene në sekondën e fundit të takimit, kur dukej se dy skuadrat po shkonin drejt kohës shtesë.
Vendi i parë në Konferencën e Lindjes pritet t’i mbetet përfundimisht Çikagos, që ka dhënë një provë force duke mundur Dallas me rezultatin 93-83, ndërsa Derrik Rouz është kthyer mes titullarëve duke shënuar 11 pikë e 8 pasime në 32 minuta lojë.
Një ndeshje shumë e rëndësishme ka qenë ajo mes Denver dhe Feniks, e mbyllur me suksesin e ekipit udhëtues që ka siguruar pjesëmarrjen në play-off, ndërsa ka zvogëluar shpresat e skuadrës së Stiv Nesh për të vazhduar në fazën me eliminim direkt të sezonit. Gjithsesi, organizatori i Feniks ka arritur të pakën që në këtë ndeshje të shkruajë emrin në historinë e NBA, duke u ngjitur në vendin e pestë në renditjen e të gjitha kohërave për pasimet, për të kaluar legjendarin Oskar Robertson që mbante këtë pozicion. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Denver-Feniks 118-107
Filadelfia-Indiana 109-106
Uashington-Majemi 86-84
Golden Steit-Hjuston 96-99
Dallas-Çikago 83-93
Portland-Memfis 89-93
Nju Xhersi-Miluoki 95-106
Orlando-Utah 107-117