Majemi dhe Çikago janë ndeshur për herë të katërt këtë vit duke dhuruar një tjetër ndeshje emocionuese dhe shumë të nervozuar, që i ka ngjarë më shumë një takimi të play-off, pasi kjo ndeshje ka patur edhe zënka masive mes skuadrave. Në fund ka triumfuar Majemi, falë edhe lojës së LeBron Xhejms i cili duket se po shkon drejt titullit të tij të tretë MVP për sezonin e rregullt. Ylli i ekipit të Floridas shënoi 27 pikë, 11 topa në tabelë dhe 6 pasime, duke realizuar në çdo mënyrë përballë mbrojtjes së ngjeshur të Çikagos, ku mungonte përsëri Derrik Rouz. Pas këtij suksesi, avantazhi i Çikagos ndaj Majemit është vetëm një ndeshje, ndërsa tani rrezikon edhe rekordin më të mirë në NBA, pasi ka 16 humbje, po aq sa San Antonio që kryeson Konferencën e Perëndimit.
Një sukses i rëndësishëm ka qenë ai 118-109 i Indianas ndaj Miluokit që praktikisht ka mbyllur garën në Lindje. Indiana ka marrë fitoren e 7-të radhazi, duke vulosur vendin e tretë në renditjen e Konferencës së Lindjes dhe avantazhin e fushës në raundin e parë të play-off. Ndërsa Miluoki është thuajse përfundimisht jashtë play-off, pasi tani është 3 ndeshje larg Filadelfias që mban vendin e 8-të në renditjen e Konferencës së Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Indiana 109-118
Minesota-Detroit 91-80
Hjuston-Nju Orlins 99-105
Çikago-Majemi 72-83
LA Klipërs-Feniks 90-93