Nju Jork ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme përballë Çikago, duke prishur kthimin në fushë të Derrik Rouz për skuadrën që aktualisht mban rekordin të mirë në NBA. Suksesi 100-99 ka ardhur si meritë e një paraqitje të shkëlqyer të Karmelo Entoni, i cili shënoi 43 pikë, 7 topa në tabelë e 3 pasime, ndërsa ishte protagonisti i koshit vendimtar për tre pikë që kaloi në avantazh skuadrën e tij kur kishin mbetur edhe 8 sekonda lojë në kohën shtesë. Derrik Rouz, në kthimin në fushë pas 12 ndeshjesh pushim për shkak të një dëmtimi, tregoi se vazhdon të jetë ai lojtari kryesor i liderëve të NBA, duke shënuar 29 pikë, 6 topa në tabelë dhe 4 pasime. Dy skuadrat janë potencialisht kandidate për t’u ndeshur që në raundin e parë të play-off ndaj njëra-tjetrës dhe kjo ishte arsyeja pse kjo ndeshje ishte e luftuar me forcë deri në sekondën e fundit.
Një ndeshje shumë e rëndësishme për Konferencën e Perëndimit ka qenë ajo mes San Antonios dhe Utah, e fituar nga teksanët me rezultatin 114-104. Skuadra e Greg Popoviç ka marrë suksesin e 11-të radhazi dhe vazhdon të kryesojë Konferencën, duke shpresuar që një tjetër humbje e Çikagos t’i dhurojë asaj edhe rekordin më të mirë në NBA. Toni Parker (28 pikë), Tim Dankan (13 pikë, 16 topa në tabelë) dhe Manu Xhinobili (23 pikë, 5 topa në tabelë) ishin protagonistët për San Antonion ku vazhdon rotacioni dhe çlodhja e lojtarëve për t’i patur të gatshëm për fazën e play-off. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Nju Jork 99-100
Kliveland-Nju Xhersi 117-122
Detroit-Majemi 75-98
Filadelfia-Boston 79-103
Toronto-Oklahoma 75-91
Utah-San Antonio 104-114
Hjuston-Sakramento 104-87