Xheremi Lin ka lënë pas dështimin e dy netëve më parë përballë Nju Orlins duke u hakmarrë me një paraqitje të jashtëzakonshme përballë kampionëve në fuqi të Dallas. Organizatori i Nju Jork ka udhëhequr ekipin e tij me 28 pikë dhe 14 pasime në fitoren 104-97, duke bërë të pavlefshme paraqitjen më të mirë sezonale të Dirk Novickit me 34 pikët e tij. Falë fitores së 8-të në 10 ndeshjet e fundit, Nju Jork gjendet në zonën e playoff, një arritje e jashtëzakonshme po të mendohet se të gjitha këto suksese kanë ardhur pa lojtarin më të mirë, Karmelo Entoni, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar, por falë kontributit të një lojtari të panjohur deri dy javë më parë.
Paraqitja më e mirë e natës dhe e gjithë sezonit deri tani ka ardhur nga skuadra e Oklahoma ku Kevin Durant ka vënë rekordin personal prej 51 pikësh (8 topa në tabelë, 3 pasime) në fitoren 124-118 në kohën shtesë përballë Denver. Këta të fundit arritën të kishin 7 lojtarë me më shumë se 10 pikë, ndërsa Durant i ka mjaftuar ndihma e Rasëll Uestbruk (40 pikë, 9 pasime, 4 topa në tabelë) dhe sidomos e Serzh Ibaka (14 pikë, 15 topa në tabelë, 11 bllokime) për të përforcuar pozitat në kreun e Konferencës së Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
19.02.2012
Dallas-Nju Jork 97-104
Orlando-Majemi 78-90
Sharlot-Indiana 73-108
Sakramento-Kliveland 92-93
Boston-Detroit 81-96
Miluoki-Nju Xhersi 92-85
Utah-Hjuston 85-101
Filadelfia-Minesota 91-92
LA Leikërs-Feniks 90-102
Denver-Oklahoma 118-124