Napoli ka hedhur një tjetër hap drejt sigurimit të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm pasi ka fituar 2-0 ndaj Palermos, duke u ngjitur i vetëm në vendin e tretë në renditje.
Skuadra e drejtuar nga Valter Maxarri ka dominuar dhe ka zgjidhur ndeshjen shumë shpejt. Që në minutën e16-të ka qenë Kavani që ka gjetur rrugën e rrjetës pas një 11-metërshi të fituar nga Pandev, ndërsa në minutën e 35-të ka qenë Hamshik që ka vulosur rezultatin përfundimtar 2-0 me golin e tij të 9-të në kampionat.
Tashmë skuadra napolitane pret e qetë ndeshjet e rivalëve të saj direkt për vendin e tretë: Inter, Udineze e Lacio, të cilët jo vetëm duhet të fitojnë, por edhe të realizojnë goleada pasi për momentin kjo skuadër ka golavarazhin më të mirë.
Ndërkohë, një rival që i thotë përfundimisht lamtumirë ëndrrave të Ligës së Kampioneve është Roma, e cila është ndalur në një barazim pa gola ndaj Kievos. Shkak për këtë paraqitje të dobët është bërë edhe terreni i stadiumit të Veronës, i rënduar nga shiu i tepërt i rënë gjatë gjithë kohës.
Kryeqytetasit nuk kanë më shanse të kapin vendin e tretë në renditje dhe për më tepër, e ardhmja e Luis Enrikes në stolin e kësaj skuadre duket e përcaktuar, pasi tifozeria ka kontestuar përsëri spanjollin, duke e shpallur “të padëshiruar”. (LajmeShqip.com)