“Nëse Barcelona do të luante përballë Milanit apo Arsenalit, për mua do të ishin njëlloj, por kur bëhet fjalë për Çelsin apo Interin, e ndjej ndeshjen në një mënyrë tjetër. Nuk e fsheh, shpresoj që fati t’i buzëqeshë Çelsit”. Kjo ishte deklarata e Zhoze Murinjos që në fillimin e konferencës për shtyp para ndeshjes mes Real Madrid dhe Bajern Mynih.
Më pas, ai ka folur për eksperiencat e veta, duke thumbuar përsëri trajtimin që merr nga gjyqtarët me çdo ekip që ai drejton. “Nuk kam patur shumë fat në gjysmëfinale. Jam eliminuar nga një gol që nuk ishte, pasi topi nuk kaloi vijën fatale, një herë tjetër u eliminova nga penalltitë që është thjesht fat i keq, ndërsa vitin e kaluar e patë të gjithë pse u eliminuam në gjysmëfinale”.
“Këtë herë shpresoj të kaloj, edhe pse në ndeshjen e parë u mundëm nga një gol në pozicion jashtë loje. Shpresoj të kalojmë pasi këto lojtarë e meritojnë”, tha trajneri portugez.
“Nuk dua të them se Champions është më e rëndësishme se çdo ndeshje kampionati. Unë mendoj se kampionatet i fitojnë gjithmonë më të mirët, ndërsa në Champions nuk ndodh kështu. Lojtarët e mi i shoh të qetë, nuk më pëlqejnë pa emocion dhe nuk më pëlqejnë shumë të emocionuar, lojtarët e mi janë të ekuilibruar”.
Më pas ai iu kthye ndeshjes së fundjavës kundër Barcelonës, duke thënë se asgjë nuk kishte përfunduar dhe të gjithë nuk duhej të ishin euforikë.
“Fitorja ndaj Barcelonës nuk ka asnjë vlerë nëse nuk fitojmë kampionatin. Kjo është një maratonë që vrapohet shumë shpejt, me ritmin e një gare të 1500 metrave. Nëse shpallemi kampionë, fitorja në “Kamp Nou” do të vlejë shumë, nëse jo, nuk do të ketë asnjë vlerë”.
“Të njëjtën energji dua që ta japim kundër Bajernit, pasi e meritojmë të jemi në finalen e Ligës së Kampioneve”, deklaroi trajneri portugez, i cili përsëriti se ishte shfaqur në konferencë për shtyp vetëm sepse ishte i detyruar nga UEFA. (LajmeShqip.com)