Florentino Perez nuk dorëzohet, dëshiron medoemos që Real Madrid të fitojë Ligën e Kampioneve numër 10, të cilën e ndjek prej më shumë se 10 vitesh. Për këtë arsye, ai i ka dhënë fuqi të plotë Zhoze Murinjos të ndërhyrjë në skuadër si ta mendojë të arsyeshme, në mënyrë që të risjellë në klub këtë trofeu.
Revolucionet e Murinjos, siç dihet, kanë një kosto shumë të lartë, sportive por edhe financiare. Si rrjedhojë, do të shtohet shifra aktuale e 937 milionë eurove të shpenzuara për 62 blerje që ka bërë Reali që në momentin kur fitoi për herë të fundit Ligën e Kampioneve.
Por njëkohësisht do të ketë edhe shumë largime të njohura. I pari në listën e Murinjos është Iker Kazijas, të cilin trajneri portugez nuk e duron më dhe ka bërë të qartë se është në kërkim të një portieri tjetër. Meqë Perez i ka lënë dorë të lirë, Murinjo nuk do t’i kërkojë llogari askujt, ndonëse largimi i kapitenit do të sjellë një tjetër çarje drastike me tifozerinë madrilene.
Më pas, kërkohet një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës i djathë, duke patur paraysh se Karvajo dhe Albiol nuk cilësohen në lartësinë e duhur dhe me shumë mundësi do të largohen nga skuadra.
Në mesfushë do të afrohet Havi Martinez, ndërsa kërkohet një lojtar me karakteristika të përafërta me Di Maria, në mënyrë që të ketë zëvendësues për argjentinasin.
Sulmi është reparti që Reali ka më të përforcuar për momentin, por edhe këtu një ndryshim i vogël duket mëse i realizueshëm. Higuain pritet të largohet, ndërsa në vendin e tij do të vijë Serxho Aguero.
Një pjesë të parave për këto lëvizje në merkato do të sigurohen nga shitja e shumë futbollistëve të cilët tashmë cilësohen të panevojshëm si Diarra, Altintop, Karvajo, Albiol dhe sidomos Kaka, i cili ka qenë ndër zhgënjimet më të mëdha të merkatos në historinë e klubit. (LajmeShqip.com)