Zhoze Murinjo e ka të vështirë si gjithmonë të pranojë humbjen dhe pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, është munduar që të kthejë vëmendjen drejt një turneu ku Reali i tij po dominon, në kampionatin spanjoll.
“Do të kem kohë për trofeun tim të tretë të Ligës së Kampioneve. Ishte një gjysmëfinale e luajtur si e barabartë mes dy skuadrave që kanë luajtur dy ndeshje dhe asnjëra nuk ka qenë më e mirë se tjetra. Ata shënuan një penallti më shumë dhe kjo mund të na ndodhte edhe ne. Ne luftojmë edhe për titull, ata jo. Kjo do të thotë diçka. Gëzimi pas fitores së “El Clasico” mendoja se do të na jepte diçka më shumë por nuk ndodhi kështu pasi na mungoi freskia fizike. Tani do të fitojmë titullin. Për mua kjo ka një kuptim të veçantë pasi po e fitojmë kundër skuadrës që të gjithë po e cilësojnë si më e mira në univers”, ishin fjalë e tij.
Më pas, ia ka vlerësuar veten dhe lojtarët e tij, që luajnë në këto nivele ndërsa ka fajësuar kalendarin me shumë ndeshje të ekipit të tij. “Është e vështirë për një ekip të arrijë në dy gjysmëfinale në dy vite radhazi dhe një trajner të arrijë në gjashtë të tilla në 8 vite. Prandaj e meritonim të kalonim por Bajerni kishte më shumë fat. Penalltitë i gabon kush i gjuan dhe ata që gabojnë janë gjithmonë personat që kanë më shumë guxim. Pseudomadrilenët do të jenë të gëzuar sot”.
“Lojtarët e mi janë supernjerëz dhe trishtohem kur njerëzit harrojnë që Mesi humbi një penallti vendimtare, ashtu siç bënë sot 3 lojtarët tanë. Ata janë më të mirët e për këtë arsye luajnë në këto nivele. Këto djem vrapuan 2 orë si kafshe dhe në fund gabuan. Kjo është të arrish në limitet njerëzore! Edhe Barcelonës i ndodhi e njëjta gjë pasi luajti të shtunën”.
“Finalen e Ligës së Kampioneve do ta luajë ekipi i dytë në Gjermani dhe ekipi i pestë në Angli. Në Itali arrita të ndryshoja gjëra në kalendar për të ndihmuar skuadrën, si për shembull të luanim të premten, por këtu në Spanjë nuk më dëgjon askush. Duam më shumë se titullin kampion sepse kemi mundësi reale të përmirësohemi. Do të vazhdoj këtu”, ishte premtimi i Murinjos. (LajmeShqip.com)