Zhoze Murinjo mendon se ndeshja mes Real Madrid dhe Bajern Mynih është një sfidë e re dhe se statistikat e hershme mes dy skuadrave legjendare të futbollit evropian nuk i bëjnë aspak përshtypje.
“Për mua nuk kanë asnjë vlerë shifrat mes Realit dhe Bajernit. Nesër nuk luan historia. Nuk më intereson asnjë lloj rezultati i mëparshëm, nesër është një gjysmëfinale dhe si e tillë, ata që e luajnë duan ta fitojnë. Ata duhet të kenë motivimin ekstra se e luajnë finalen në shtëpi dhe ne se luajmë për të dytin vit radhazi në gjysmëfinale”.
Ai nuk i ka rezistuar tundimit për të thumbuar në distancë Barcelonën, i pyetur rreth gjyqtarit të kësaj ndeshje, anglezit Hauard Ueb. “Nuk kam asnjë lloj problemi me këtë zgjedhje, ka eksperiencë në këto nivele. Lojtarët e Realit do të bëjnë si gjithmonë maksimumin për të ndihmuar gjyqtarin që të kryejë sa më qetësisht punën e tij. E dimë që ka raste kur një gjyqtar gabon dhe ka raste kur jep një penallti të dyshimtë që të jep tri pikët”, ishin fjalët e tij duke nënkuptuar fitoren e Barcelonës në këtë fundjavë.
“Ne këtë sezon vetëm mund të fitojmë, pasi e kemi humbur atë turne ku ishim mbajtës të trofeut, Kupën e Mbretit. Kampionatin dhe Ligën e Kampioneve mund t’i humbin vetëm ata që ishin fitues në fuqi”.
“Bajerni është një ekip i mirë me një trajner fantastik dhe shumë lojtarë të zotë. Ai është një klub i fortë që do të jetë një rival i madh. Ka lojtarë që janë pak më të veçantë se të tjerët, ndaj është një ekip i mirë”, tha Murinjo duke iu referuar kundërshtarëve.
Më pas ai nuk ka pranuar se Reali është favorit në këtë sfidë, duke iu referuar opinionit të ish-lojtarëve e drejtuesve të Bajern Mynih. “Më të rëndësishme se opinionet e mia janë ata të njerëzve të rëndësishëm që çdo ditë thonë të kundërtën. Hënes, Bekenbauer, Kahn, Hitzfeld… të gjithë mendojnë se Reali nuk është një ekip i madh, që ata janë më të fortë, janë një ekip i madh dhe që ne kemi kompleksin e “maces së zezë” ndaj tyre”, tha Murinjo i cili pranoi se kishte marrë pjesë në konferencë për shtyp vetëm se ishte i detyruar nga rregullorja e UEFA-s. (LajmeShqip.com)