Zhoze Murinjo është shfaqur më i qetë se zakonisht pas një humbje, në përfundimin e sfidës kundër Bajern Mynih në Ligën e Kampioneve. Trajneri i madrilenëve ka bërë të qartë se shpreson te përmbysja e rezultatit të kësaj sfide në përballjen e javës së ardhshme në Madrid.
“Nuk e di nëse ka patur faull te goli i Mario Gomez, pasi isha larg dhe nuk mund ta shihja. Por Koentrao ka bërë një ndeshje të mirë. Ka patur lojtarë të tjerë që kanë gabuar dhe nuk është thënë asgjë për ta”, ishte mbrojtja që Murinjo i ka bërë bashkëkombësit të tij, i cili nga mediat është cilësuar si lojtari më i dobët në fushë dhe fajtor kryesor për golin e pësuar në minutën e fundit të ndeshjes.
“Jam optimist që do të shkojmë në finale. Kemi aftësi të bëjmë 1-0, 2-0, 3-1 apo edhe 2-1 me shtesa në ndeshjen e kthimit. Përmbysja është normale nuk do të jetë një rezultat historik. Kuptohet që humbja nuk është një rezultat që kërkoja, por të mos harrojmë që kjo është gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve”.
Murinjo mendon se skuadra e tij nuk e meritonte ta humbte këtë sfidë, për më tepër për faktin që Bajerni shënoi një gol në mënyrë të parregullt. “Është humbja e parë por nuk më jep ndjesi negative. Ndeshja që humbëm vitin e kaluar e dimë të gjithë se pse u humb. Këtë të sotmen mendoj se nuk meritonim ta humbnim, por kjo gjë ndodhi. Nuk kam asnjë dyshim, në golin e tyre të parë kishte pozicion jashtë loje, por janë gabime që i cilësoj të pranueshme nga gjyqtarët. Epërsia e kundërshtarëve? Jemi në prill, jemi një skuadër që ka ardhur deri këtu duke luajtur shumë ndeshje, e detyruar gjithmonë të fitojë dhe është normale që disa futbollistë të mos jenë në maksimumin e tyre”.
Në fund, nuk mund të mungonte batuta e radhës kundër Pep Guardiolës që sot luan në “Stemford Brixh”, ish-stadiumin e tij. “Ai është një djalë inteligjent dhe e di mirë se si i ka fituar shumë ndeshje në kampionat dhe Ligën e kampioneve. E di në mënyrë perfekte si e ka bërë”, deklaroi Murinjo, duke iu referuar ndihmave të gjyqtarëve në favor të kalatanasve. (LajmeShqip.com)