Zhoze Murinjo ka vendosur të “injorojë” Ligën e Kampioneve, të paktën për tani. I sapo mbërritur në Moskë ku nesër do të vihet përballë CSKA-së vendase, trajneri portugez nuk ka patur problem të deklarojë për “TVE” se i ka dhënë më shumë rëndësi takimit te Racing Santander sesa kësaj ndeshje e cila do të luhet në -12 gradë Celcius.
A shqetësoheni mbi ndikimin që do të ketë i ftohti gjatë ndeshjes?
I ftohti nuk mund të ndikojë. Nuk është njëlloj të luash në temperatura të tilla, por këtu ka rëndësi mentaliteti i lojtarëve. Duhet të jenë të fortë psikologjikisht dhe atëherë ekipi do të jetë i fortë, grupi është i bashkuar dhe jemi ambiciozë. Do të luftojmë kundër një skuadre të fortë dhe temperaturave të ulëta.
Me atë që keni parë nga ndeshjet e CSKA në Spanjë, a ju duket një skuadër e lehtë?
Do të gabohemi nëse e mendojmë kështu. Ne e dimë që para ndeshjeve që kanë zhvilluar në Spanjë, ata kanë patur stërvitje të forta. Është një ekip që luan bashkë prej shumë kohësh. Unë kam qenë përballë tyre me Çelsin dhe Interin. Nga periudha ime në Angli, janë ende 7 lojtarë dhe janë të fortë taktikisht.
Me diferencën që keni në kampionat, a do të përqendroheni më shumë për të bërë një paraqitje sa më të mirë në Ligën e Kampioneve?
Për mua, kampionati, në vetë modelin e tij, është shumë i rëndësishëm, pasi është turneu të cilin e fiton gjithmonë ai që ka qenë më mirë. Në Ligën e Kampioneve nuk fiton gjithmonë më i miri. Kur fiton kampionatin është gjithmonë mirë për vetëbesimin e trajnerit, pasi ai e di që ka bërë mirë gjatë të gjithë vitit. Në kampionat nuk do të lëshoj as një milimetër dhe do të luajmë sikur të ishim me pikë të barabarta me Barcelonën. Prova e kësaj është se 2-3 ditë para udhëtimit për në Moskë, aktivizova të gjithë titullarët në ndeshjen kundër Racing Santander.
Por Liga e Kampioneve mbetet e rëndësishme për ju sepse sa herë që e keni fituar, jeni larguar më pas nga klubi…
Por ajo nuk ka qenë arsyeja e largimit. Nuk ika nga klubet pasi fitova Ligën e Kampioneve. Nga Porto u largova sepse mendova se ishte koha për të lëvizur, kisha ambicie të tjera. Nga Interi vendosa të largohesha para se të luanim finalen.
Nuk do të ndikojë në të ardhmen tuaj fitorja e Ligës së Kampioneve?
Jo. (LajmeShqip.com)