Zhoze Murinjo nuk dëshiron një finale të mundshme të Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës dhe për këtë arsye shpreson që ish-ekipi i tij, Çelsi, të arrijë të kalojë katalanasit dhe mundësisht të përballet me madrilenët në ndeshjen e 19 majit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes Barcelona-Çelsi, portieri i londinezëve Peter Çeh u ngacmua nga gazetat që e pyetën nëse kishin folur me Murinjon. “Po, kishim një mbledhje taktike pak orë më parë. Na prezantoi të gjithë dosjen e ndeshjes dhe në u munduam ta vinim në zbatim”, ishte batuta e portierit ndaj kësaj pyetje.
Por ai ka patur pak të drejtë kur i ka thënë këto fjalë. “The Sun” ka bërë të ditur se Murinjo fillimisht u ka dërguar disa mesazhe urimi katër prej ish-lojtarëve të tij: Peter Çeh, Eshli Kol, Frenk Lampard dhe Didier Drogba.
Ndërsa Rui Faria, një prej ndihmësve më besnikë të Murinjos që ka punuar me portugezin edhe te Çelsi, i ka dhënë ndihmësit të Di Mateos, Stiv Holand, një analizë të plotë taktike se si Real Madrid shfrytëzoi pakujdesitë mbrojtëse të Barcelonës në ndeshjen e të shtunës.
Murinjo shpreson që në finale të ketë ish ekipin e tij dhe këtë ua ka bërë të qartë futbollistëve me SMS që ka dërguar. “Ju mund t’ia dilni mbanë, ashtu si ne. Shihemi në Mynih”. (LajmeShqip.com)