Luçiano Moxhi vazhdon të mbetet protagonist në futbollin italian, ndonëse tashmë nuk është më pjesë aktive e tij. Ish-drejtori sportiv i Juventusit, ka falënderuar Andrea Anjelin, presidentin aktual të bardhezinjve, për fjalët e mira që ky i fundit ka thënë në adresë të tij.
“Duhet të them që fjalët e Anjelit në adresën time më kanë kënaqur shumë pasi Andrea ka patur shumë kuraje dhe jam i bindur që mes drejtuesve aktualë të Juventusit ka persona të cilëve nuk i kanë pëlqyer”.
“Edhe Kapelo ka thënë se jam drejtori sportiv më i mirë që ka patur? Është një gjë e bukur të marrësh vlerësime kaq të rëndësishme nga dikush që ka patur mundësi të shohë mënyrën se si punoja. Për më tepër, bashkë me Kapelon po ndërtonim Juventusin më të fortë të të gjitha kohërave që do të dominonte në Itali për shumë vite. Por na ndaluan me “Calciopoli”…”, ishte komenti i Moxhit.
Ky i fundit më pas ka folur për kampionatin, duke shigjetuar si gjithmonë rivalët e Juventusit, Milan e Inter. “Milan po vuan një rënie forme pasi nuk është e rastësishme që Galiani kërkonte shtyrjen e ndeshjes me Napolin. Galiani thotë se Ibra duhet dënuar vetëm dy javë? Ai u dënua 3 javë dhe mungoi ndaj Milan, kur unë isha te Juventus dhe vetë Galiani ishte presidenti i Legës”.
“Mbrojtja e Interit po fle gjumë, ka pësuar 9 gola në tre ndeshjet e fundit, me lojtarët e vegjël si Mikoli, Borini e Bojan që bëjnë çfarë të duan. Por mos harroni që Roma ka marrë një sukses të merituar edhe falë De Rosit e Totit, që janë ende forca e vërtetë e kësaj skuadre”, ishte komenti “teknik” i Moxhit për javën që sapo u mbyll. (LajmeShqip.com)