Valentino Rosi ka pranuar se ai dhe Dukati kanë bërë hapa prapa gjatë provave zyrtare të Çmimit të Madh të Katarit ku italiani ishte piloti më ngadaltë mes atyre që drejtonin motor prototip.
Ndonëse para provave ai u shfaq optimist, Rosi do të fillojë garën e sotme nga vendi i 12-të, ndërsa xhiroja e tij më e mirë ishte rreth 1.2 sekonda më e ngadaltë se ajo e shokut të skuadrës, Niki Hejden.
“Nuk është se dita e mëparshme ishte e shkëlqyer, sidomos me gomën e përdorur, por qëllimi im ishte të kualifikohesha në rreshtin e dytë. Por tani jam shumë larg atij objektivi dhe problemet që kishim, duket se janë përkeqësuar”.
“Është shumë e çuditshme pasi bëmë një ndryshim minimal në krahasim me një ditë më parë, por ndjesia e motorit ishte krejtësisht ndryshe. Atëherë iu kthyem përsëri gjërave siç kishin qenë të premten, por as kjo nuk e përmirësoi situatën”.
“Nuk di çfarë të pres nga gara por sigurisht që dua të shfaqem sa më mirë. Niki e përgatiti ndryshe motorin e tij ndaj ne do të shohim tani të dhënat që ka mbledhur ai dhe të mundohemi të përmirësohemi”, tregoi piloti italian i cili që prej kalimit të Dukati nuk ka arritur të jetë më konkurrues dhe nuk shihet më si pretendent për titullin kampin në MotoGP. (LajmeShqip.com)