Valentino Rosi ka arritur më në fund të shfaqet mes më të mirëve, ndonëse kanë qenë vetëm provat e lira të Çmimit të Madh të Herez në MotoGP. Piloti italian i Dukatit ka konfirmuar se në një pistë të lagur, motori i tij është po aq i shpejtë sa ai i kundërshtarëve që luftojnë për titull.
“Vendi i dytë është i mirë pasi me motorin e vjetër ecnim shpejt në pistë të lagur dhe kjo na është konfirmuar edhe me modelin e ri. Kjo na ndihmon për moralin, nëse bie shi mund të arrijmë një kualifikim të mirë dhe një garë të mirë. Mund të jemi konkurrues. Shpresojmë që të bjerë shi!”, ishin fjalët e “Doktorit” i cili këtë sezon duket ende shumë larg kryesuesve.
“Duhen parë kushtet klimaterike të së shtunës dhe të dielës. Sot kam bërë prova edhe me motorin e dytë që të jem i përgatitur për çdo lloj situate. Por kur pista fillon të thahet, gomat fillojnë të shkatërrohen dhe fillojmë të ecim më ngadalë. Për këtë arsye, nuk na duhet një pistë krejtësisht e lagur apo krejtësisht e thatë. Nëse do të kishim një situatë të mesme, për ne do të ishte ideale dhe do të synonim që të bënim një garë sa më të mirë”, u shpreh piloti italian.
Ndërkohë, kampioni i botës në fuqi, Kejsi Stoner, ka deklaruar para shtypit se nuk do të kërkojë operacionin për zgjidhjen e problemeve në dorën e djathtë. “Të gjithë doktorët më kanë thënë se operacioni nuk do ta zgjidhë përfundimisht këtë problem”, ishin fjalët e tij, referuar humbjes së forcës në dorën e djathtë që shkaktoi probleme në garën e parë të sezoni në Katar. (LajmeShqip.com)