Horge Lorenco me Jamaha ka arritur të triumfojë përballë dy motorëve Honda duke marrë suksesin në garën e parë të sezonit të MotoGP, Çmimin e Madh të Katarit.
Kampioni i botës në fuqi, Kejsi Stoner, dukej sikur po shkonte drejt një suksesi të lehtë për pjesën më të madhe të garës, duke krijuar diferencën nga ndjekësit. Por në xhirot e fundit, Lorenco fillimisht triumfoi në duelin me Dani Pedrozën, e më pas arriti të kapë e të kalojë edhe australianin që shfaqi probleme me gomat.
Lorenco krijoi menjëherë një distancë të ndjeshme kur kishin mbetur edhe tre xhiro nga fundi, duke lënë dy Hondat të luftonin me njëra-tjetrën, në një duel të fituar nga Pedroza i cili kaloi Stoner dhe mori vendin e dytë në podium.
Vendi i katërt në garë i shkoi Kal Kratçlou, i cili fitoi një duel të gjatë me shokun e tij të skuadrës te Tek 3 Jamaha, Andrea Doviciozo. Ndërkohë, kampioni i botës në Moto2, Stefan Bradl me Honda LCR, arriti të merrte vetëm vendin e 8-të, i kaluar në xhirot e fundit nga Hejden me Dukati dhe Bautista me Gresini Honda.
Valentino Rosi me Dukati dhe Ben Spis me Jamaha patën një garë shumë të keqe, duke përfunduar respektivisht në vendet 10 dhe 11, pa u shfaqur asnjëherë të rrezikshëm. (LajmeShqip.com)