Gazeta italiane “La Nazione” ka zbuluar edhe akordin e arritur mes mesfushorit të përfaqësueses italiane, Rikardo Montolivo dhe Milanit. Sipas kësaj gazete, lojtari që është në përfundim kontrate me Fiorentinën, do të zyrtarizojë transferimin e tij vetëm në fund të sezonit, ndonëse ka hedhur që tani firmën në letër.
Lojtari ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me kuqezinjtë, nga e cila do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, një shifër jo e lartë kjo në krahasim me ofertën prej 2 milionë eurosh që ai i refuzoi Fiorentinës.
Po nga Firence drejt Milanos do të kalojë edhe një tjetër futbollist me parametër zero, mbrojtësi 33 vjeçar Çezare Natali, për të cilin nuk jepen detaje më të hollësishme rreth shumës që do të përfitojë duke veshur fanellën kuqezi.
Afrimi i lojtarëve me parametër zero është bërë pjesë e rëndësishme e strategjisë së Milanit që vazhdon të regjistrojë bilance negative në mbyllje të çdo sezoni. Edhe këtë radhë, në asamblenë e klubit që do të mblidhet të premten, do të konfirmohet humbja e 67 milionë eurove për vitin 2011.
Shkak i këtyre humbjeve financiare të jashtëzakonshme janë rrogat aktuale të lojtarëve, ku Milani kryeson kampionatin italian me 160 milionë euro në vit të shpenzuara vetëm për pagat e futbollistëve. Për këtë arsye, afrimi i lojtare me parametër zero si dhe largimi i shumë futbollistëve që janë në mbyllje të kontratave, do të ndihmojë uljen e mëtejshme të shpenzimeve të klubit që po mundohet të aplikojë “fair-play financiar” siç kërkon normativa e re e UEFA-s. (LajmeShqip.com)