Milan duket se ka prerë biletën për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, pasi ka mundur me rezultatin e thellë 4-0 Arsenalin. Në një ndeshje që pritej me shumë rivalitet, në fushë është parë thuajse vetëm Milani që ka shfrytëzuar më së miri rastet e krijuara dhe me përjashtim të ndonjë mrekullie të “topçinjve” në ndeshjen e kthimit, ka hipotekuar kualifikimin mes 8 skuadrave më të mira.
Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh që në minutën e 15-të, kur Kevin Prins Boateng ka depërtuar në zonë dhe me një predhë diagonale ka mposhtur portierin e Arsenalit. Miqtë mundohen të reagojnë, por është përsëri Milan që gjen rrugë e rrjetës, këtë radhë me Robinjon që devijon me kokë në portën kundërshtare një pasim në qendër të Ibrahimoviç. Sulmuesi brazilian është autor edhe i golit të tretë, këtë radhë pasi përfiton nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes së Arsenalit dhe gjen rrjetën me një gjuajtje në hyrje të zonës. Goli i katërt i ndeshjes erdhi si rrjedhojë e një 11-metërshi të fituar dhe të transformuar saktësisht nga Ibrahimoviç. Reagimet e vetme të Arsenalit vijnë nga këmbët e Van Persit, por në ato pak raste kur ai u shfaq para portës së Milan, Abiati nuk e lejon të shënojë as golin e ngushëllimit duke bërë disa ndërhyrje vendimtare.
Tani Milan shkon i qetë në Londër për ndeshjen e kthimit, pasi vështirë se “topçinjtë” do të përmbysin një rezultat kaq të thellë për të arritur kualifikimin. (LajmeShqip.com)