Ndeshjet e pasdites të javës së 34-t të Serisë A kanë dhuruar barazimin 1-1 në shtëpi të Milanit përballë Bolonjës, me kuqezinjtë që humbin pikë të rëndësishme në luftën për titull kundër Juventusit.
Vendasit janë dukur shumë të lodhur dhe në formë të dobët, ndaj avantazhi i miqve me Ramirez në minutën e 25-të nuk vjen i papritur. Vetëm në pjesën e dytë shihet një reagim i skuadrës kuqezi, sidomos pas hyrjes në fushën e lojës së Kasanos e Emanuelson. Anësori gabon duke mos akorduar një gol në favor të skuadrës kuqezi, duke sinjalizuar një pozicion të paqenë jashtë loje të Ibrahimoviç, i cili zgjohet vetëm në finalen e ndeshjes të cilën e kishe kaluar plotësisht në anonimitet.
Megjithatë, sulmuesi suedez arrin të shënojë golin e barazimit në minutën e 90-të, ndërsa Robinjo humb mundësinë për fitoren e bujshme në minutën e fundit shtesë kur me një gjuajtje me kokë dërgon topin jashtë.
Lufta për vendin e tretë vazhdon më e fortë se kurrë, sidomos pas barazimit të Lacios në shtëpi me Leçen, ku skuadra e Kozmit tregon edhe një herë se po bën maksimumin për të mbijetuar në Serinë A. Vendimtar goli i Bozhinov në minutën e 91-të të kësaj sfide. Ndërkohë, Interi nuk shkon më shumë se një barazim pa gola në fushën e Fiorentinës duke rrezikuar tashmë të mbetet shumë larg zonës së Ligës së Kampioneve. Zikaltërit shpëtohen nga Hulio Sezar, i cili pret një penallti të Ljajiç.
Ngjarja më e bujshme është ajo që ka ndodhur në stadiumin “Marasi”, ku tifozët kanë “marrë peng” skuadrën vendase të Xhenoas pasi kjo e fundit po mundej 4-0 në fushën e saj nga Siena. Tifozët kanë detyruar ndërprerjen e ndeshjes dhe kanë detyruar lojtarët që të heqin fanellat pasi nuk i meritonin. Pas një ndërprerje prej 50 minutash, ndeshja ka vazhduar dhe ka përfunduar 4-1 në favor të miqve, ndërsa Federata Italiane pritet të marrë masa të rrepta për skuadrën e Xhenoas që tashmë rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Fiorentina-Inter 0-0
Çezena-Palermo 2-2
27′ Santana, 28′ Renela / 20′ Bertolo, 47′ Silvestre
Xhenoa-Siena 1-4
79′ (ag) Del Groso / 17′, 37′ Brienca, 19′ Destro, 49′ Xhorxhi
Lacio-Leçe 1-1
81′ Matuzalem / 91′ Bozhinov
Milan-Bolonja 1-1
90′ Ibrahimoviç / 25′ Ramirez
Renditja
Juventus 68, Milan 68, Lacio 55, Udineze 52, Napoli 51, Roma 50, Inter 49, Katania 46, Kievo 43, Siena 42, Palermo 41, Bolonja 41, Atalanta 40, Kaljari 38, Parma 38, Fiorentina 38, Xhenoa 36, Leçe 35, Novara 25, Çezena 22.