Lionel Mesi mund të cilësohet pa frikë si një prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohërave që tani, ndonëse është vetëm 24 vjeç. Fituesi i trefishtë i “Topit të Artë”, vazhdon të çuditë me statistikat e tij para porte, ndërsa mbrëmë është kthyer në golashënuesin më të mirë të historisë së Ligës së Kampioneve për fazën e eliminimit direkt me 19 gola.
Përveç golit të mbrëmshëm, i 7-ti këtë sezon në turne ku të gjithë janë shënuar jashtë fushe, viktimat e tjera të Mesit në fazën e eliminimit direkt kanë qenë Arsenal (4), Real Madrid (2), Mançester Junajtid (2), Bajern Mynih (2), Sëlltik (2), Shtutgart (2), Lion (1) dhe Shakhtar Donetsk (1). Në këtë renditje të veçantë, ai ka kaluar Raul dhe Andri Shevçenko, të cilët janë shumë pranë “pensionit” dhe vështirë se mund të shqetësojnë tashmë futbollistin argjentinas.
Ai ka 44 gola në total në turneun më të rëndësishëm evropian për klube, duke qenë që tani i 6-ti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohëve pas Raul (71), Rud van Nistelroi (56), Tierri Henri (55), Shevçenko (48) dhe Inzagi (46) ndërsa rivali i tij, Kristiano Ronaldo, gjendet vetëm në vendin e 10-të me 31 gola të shënuar.
Mënyra se si shënon ai në këtë turne ka mahnitur edhe kundërshtarët. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ndaj të cilit Mesi shënoi katër gola në një ndeshje në çerekfinalet e sezonit 2009-2010, i vuri atij nofkën “Playstation”, duke parë se si argjentinasi gjente pa problem rrugën e rrjetës.
Por vetë lojtari nuk mendon për rekordet, por si t’i kthehet sukseseve në kampionat ku Barça është 10 pikë larg Realit të Madridit. “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Ishte rëndësishme të ndryshonim ritmin, në krahasim me kampionatin. E dimë që ky i fundit është shumë i vështirë, por do të tentojmë t’i shkojmë deri në fund”, ishte komenti i tij i vetëm pas takimit me Leverkusen. (LajmeShqip.com)