Pak fjalë, por zhgënjimi duket qartë në mesazhin që Lionel Mesi ka bërë për tifozët e tij nëpërmjet një prej rrjeteve sociale më popullor në Kinë. Sipas asaj që raporton e përditshmja argjentinase “Ole”, futbollisti ka treguar zhgënjimin e tij të madh për këtë eliminim nga Liga e Kampioneve.
“Kemi pësuar një tjetër goditje të rëndë. Të gjithë e kanë parë që dhamë gjithçka në dy ndeshjet e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, por nuk ia dolëm mbanë”.
“Mendoja se do të shkonim në Mynih. Tani na mbetet të luajmë ndeshjet e kampionatit dhe të finales së Kupës së Mbretit. Sezoni e ardhshëm do të tentojmë përsëri”, ishte premtimi që ylli argjentinas ka bërë për tifozët e tij.
Mesi do të kthehet në një lojtar edhe më të rëndësishëm te Barça nëse Guardiola vendos të largohet pasi nga këmbët e tij do të varet ecuria e ekipit nën drejtimin e një trajneri të ri që normalisht do të bazojë gjithçka te aftësitë e argjentinasit.. (LajmeShqip.com)