Lionel Mesi është i pandalshëm dhe këtë sezon po rishkruan librat e historisë së futbollit. Argjentinasi po kalon një sezon si shumë pak futbollistë para tij dhe është vënë në ndjekje të rekordeve historikë që kanë dhjetëra vjet pa u kaluar.
Me dy golat e shënuar kundër Real Saragozës, Mesi ka arritur kuotën e 38 golave në kampionat, 60 golave në total të shënuar në këtë sezon me fanellën e Barcelonës. Përveç kampionatit ai ka shënuar 14 gola në Ligën e Kampioneve (rekord për këtë turne), 2 në Kupën e Mbretit, 3 në Superkupën e Spanjës, një në Superkupën e Evropës dhe 2 në Botërorin e Klubeve, duke gjetur rrugën e rrjetës në çdo aktivitet në të cilin ka marrë pjesë.
Lojtari i fundit që ka mbërritur kuotën e 60 golave në një sezon me një skuadër është golashënuesi legjendar Gerd Myler, i cili në sezonin 1972-1973, shënoi 67 gola me fanellën e Bajern Mynih, rekord që qëndron i pathyer deri tani.
Por Mesi i ka të gjitha mundësitë ta kalojë atë, pasi ka të paktën 10 ndeshje në dispozicion deri në fundin e sezonit për të shënuar gola të tjerë.
Lojtarë të tjerë të famshëm që kanë shënuar 60 apo më shumë gola në një sezon përfshijnë Fernc Deak, i cili shënoi 66 gola për hungarezët e Szentlorink në 1945-46, Henk Grot, i cili shënoi 64 herë për Ajaks Amsterdam në 1960-61 dhe Diksi Din, që shënoi 63 me fanellën e Everton në 1927-28. (LajmeShqip.com)