Memfis ka arritur që këtë radhë të përfitojë nga faktori fushë duke mundur me rezultatin 98-105 ndaj LA Klipërs për të barazuar serinë në 1-1. Kalifornianët e rrëmbyen ndeshjen e parë të serisë me një përmbysje spektakolare në sekondat e fundit, por këtë radhë “Arinjtë” janë treguar të pamëshirshëm duke treguar një lojë skuadre të jashtëzakonshme me 6 lojtarë që shënuan të paktën 10 pikë. Te kalifornianët funksionoi mirë dyshja Kris Pol (29 pikë, 6 pasime) dhe Bleik Grifin (22 pikë, 9 topa në tabelë), por u ndje mungesa e Karon Batlër i cili ka thyer dorën e majtë në ndeshjen e parë.
Indiana ka arritur të rikthejë faktorin fushë në favorin e vet duke fituar në transfertë me rezultatin 97-74 kundër Orlandos. Deni Grenxher (26 pikë, 9 topa në tabelë) dhe Roi Hibert (18 pikë, 10 topa në tabelë) ishin të pakapshëm në të dy anët e fushës, ndërsa te Orlando vetëm Glen Deivis ishte në lartësinë e duhur me 22 pikë. Tani seria kontrollohet 2-1 nga Indiana, ndërsa ndeshja e katërt është përsëri në fushën e Orlandos.
Ndërkohë, vazhdon seria e fitoreve të thjeshta të San Antonios që ka fituar 104-83 ndaj Utah në një ndeshje të dominuar lehtësisht, për të çuar 2-0 bilancin në raundin e parë të play-off. Greg Popoviç, i nderuar me trofeun “Trajneri i vitit” para fillimit të takimit, i dha mundësinë lojtarëve të bënin rotacion dhe asnjë prej tyre nuk regjistroi më shumë se 30 minuta lojë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Utah (0)-San Antonio (2) 83-104
Indiana (2)-Orlando (1) 97-74
LA Klipërs (1)-Memfis (1) 98-105
Sonte
Majemi (2)-Nju Jork (0)
Oklahoma (2)-Dallas (0)