Marçelo Lipi do të drejtojë në Kinë. Trajneri Kampion Bote me Italinë në vitin 2006, do të ulet shumë shpejt në pankinën e Guangzhou Evergrande, pasi ka pranuar ofertën që i ka bërë klubi kinez.
Lipi, pushim që prej Botërorit zhgënjyes në Afrikën e Jugut me përfaqësuesen e Italisë në vitin 2010, do të transferohet në Kinë te ekipi kampion në fuqi i këtij vendi, i cili aktualisht po kalon një fushatë të suksesshme edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë.
Kjo është një nga skuadrat më të pasura në botë, e aftë të blinte edhe lojtarin e Fluminenses, argjentinasin Konka, duke i siguruar atij një rrogë prej 26 milionë eurosh neto për dy sezone, për ta bërë këtë lojtar të katërtin në botë mes futbollistëve më të paguar.
Kësisoj, zgjedhja e Lipit do të jetë tërësisht ekonomike, ndonëse ky kishte bërë të ditur prej kohësh se kërkonte një eksperiencë krejtësisht ndryshe nga e kaluara e tij.
Sipas shtypit sportiv kinez, Guangzhou nuk dëshiron të ndalet këtu, pasi ka bërë gati që tani ofertat për Lukas Barrios të Borusia Dortmund dhe sidomos Didier Drogba të Çelsit.
Për ta, afrimi në pankinë i Lipit do të kishte efekte edhe në merkato. Drejtuesit e klubit kinez shpresojnë që me një emër të tillë në pankinë, ata të afrojnë lojtarë sa më cilësorë në një kampionat që ka filluar të tërheqë shumë yje të futbolli botëror. (LajmeShqip.com)