Diego Armando Maradona flet gjithmonë atë që mendon dhe nuk ka ngurruar të tregojë idetë e tij rreth asaj që ndodh aktualisht në futbollin botëror. “El Pibe D’Oro” ka patur komente për të tërë, duke folur hapur kundër drejtuesve të futbollit argjentinas, “profesionalizmit” në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mançinit, Peles dhe Blater.
Argjentina
“Në Argjentinë i kam dyert të mbyllura. Mund të duket e pabesueshme por nuk është asgjë e re për mua. Dihet që ata që nuk bëhen palë me drejtuesit nuk bëhen asnjëherë pjesë e klubeve. Ndaj mund të them se jetoj si në internim. Më mirë të fitoj paratë duke qenë jetim sesa të bëhem pjesë e familjes së tyre. Megjithatë, herët a vonë do të kthehem të drejtoj Boka Juniors”.
Emiratet e Bashkuara Arabe
“Këtu nuk e përjetojnë futbollin si ne profesionistët. Në skuadër kisha fillimisht 2 policë, 3 ushtarë dhe 6 që shkonin në kolegj. Bëja stërvitje me 12 vetë. Tani vijnë në stërvitje çdo ditë dhe mësojnë gjëra të reja. Trajnerët e tjerë që vinin këtu interesoheshin vetëm të merrnin rrogën, ndërsa unë zgjohem çdo ditë me dëshirën për t’i mësuar diçka”.
Aguero, Tevez dhe Mançini
“Për Agueron e dija që nuk shkonte te Reali, do ta blinte Çelsi apo Siti. Ai shkoi në Mançester për të rregulluar CV-në e Mançinit. A luan titullar apo jo e vendos trajneri, por ai arrin të bëjë diferencë në një ekip ku lojtari që kushton më pak vlen 40 milionë euro. Të shohësh vetëm stolin e Sitit të hyjnë të dridhurat”.
“Kam folur me Tevez, të cilin e njoh mirë dhe që ka qenë idhull në skuadrat ku ka luajtur. Të humbasësh gjithçka për një zënkë koti me trajnerin… Unë mendoj se në mes ka një padrejtësi të madhe. E njoh Mançinin dhe prandaj i jap të drejtë Tevez. Mançini ka qenë gjithmonë i përkëdhelur te Sampdoria, Inter e tani te Siti. Çdo trajner duhet të dijë të menaxhojë mirë ekipin. Duhet të shitnin Tevez para se të blinin Agueron, në mënyrë që lojtarët të mos vuanin”
Pele
“Pele duhet të flasë keq për dikë në mënyrë që ta vënë re të tjerët. Ai duhet të kthehet në muze apo të pijë ilaçet e duhura. Nuk duhet të pijë ilaçin e bardhë në mëngjes dhe të kuqin në darkë se pastaj ngatërrohet dhe bën gabime, flet budallallëqe. Prandaj preferoj më mirë të pi një birrë me Ronaldon”.
Blater
“Ekziston një personazh, Blater, që vendos kush duhet të rrijë dhe kush duhet të iki. A thua se ai ka luajtur futboll, maksimumi që ka luajtur në jetën e tij ka qenë kriket. Është shumë e shpifur të jesh kaq hipokrit që të thuash diçka kundër Mesit e më pas të ngjitesh në skenë me buzëqeshje për t’i dhënë një trofe”. (LajmeShqip.com)